Pse një faqe interneti? 33 përfitimet e saj!
Rëndësia dhe avantazhet e një web faqe për një biznes.
Një faqe interneti dhe aktiviteti online janë shumë më përfituese për një kompani ose organizatë, në krahasim me format e tjera tradicionale të prezantimit, të reklamës dhe të shitjeve. Njerëzit janë përpjekur për të reklamuar dhe shitur përmes fjalës së folur në baza personale, tabelave dhe parrullave në ambiente te hapura e të brendshme, përmes letrës së shtypur, valëve të radios dhe televizionit. Por, në shumicën e rasteve, një faqe interneti ka ndikim më të madh, sjell më shumë përfitime dhe është më e dobishme. Ja, një listë e shpejtë e avantazheve të saj:
1. Interneti është mediumi më i madh sot
Në të gjithë historinë e njerëzimit, nuk ka pasur kurrë një medium, ku afro 4.66 miliardë njerëz (59.5% e popullsisë globale), të jenë pjesë e tij. Ky është interneti, i pari dhe i vetmi medium në llojin e vet. Duket sikur asnjë biznesi nuk ia leverdis të mos jetë pjesë e këtij tregu kaq të madh e plot mundësi. Si mund të ndodhë kjo? Një faqe interneti është mënyra më e thjeshtë për t’u bërë pjesë e tij. Një peshkatar nuk pret që peshku të vijë vetë tek ai dhe as nuk kërkon për peshk në akuarium. Nëse është i zgjuar, peshkatari shkon atje ku ka peshk, në det. Deti dhe oqeani i madh i mundësive sot është interneti. Karremi, që josh peshkun, është faqja e internetit. Nëse një kompani dëshiron të kapë peshk të mirë, ajo duhet të ketë një karrem të mirë – një website mbresëlënës. Askush nuk mund të argumentojë me këtë fakt.
2. Ji i pranishëm
Gabim më i madh që dikush mund të bëjë është mosparaqitja. Kjo do të thotë të jesh jo-ekzistent. Një biznes ka nevojë të jetë i dukshëm. Prania në internet fillon me një faqe interneti. Me një faqe interneti, një njësi ekonomike mund ta prezantojë veten siç duhet në web. Kjo faqe interneti përcjell një mesazh, ngre dorën e vet dhe thotë: “Unë jam këtu!” Kjo është mënyra se si një kompani mund të jetë e pranishme në web; nëpërmjet web faqes së saj.
3. Ji i arritshëm, përmes kërkimit
Kërkimi! Klientët tuaj potencialë do të përdorin kërkimin online. A do t’ju gjejnë dot? Shumica e blerjeve, veprimet dhe trafiku në internet, fillojnë me një kërkim online që të çon në një faqe interneti. Një faqe interneti është e gjendshme, e detektueshme dhe e arritshme. Motorrët e kërkimit analizojnë të gjitha faqet e internetit në mbarë webin. Kur një firmë e ka web faqen e saj online dhe funksionale, ajo e ka pozicionuar veten për të qenë e arritshme, që të mund të gjendet lehtë! Kur një kompani konsideron të avancojë në marketing online, ajo duhet të investojë në SEO – Optimizim për motorrët e kërkimit.
4. Disponueshmëri 24/7
Shumica e bizneseve janë të hapura 9 deri në 12 orë në ditë, vetëm 5 ditë në javë. Por, përmes web faqes tuaj, biznesi juaj do të jetë i hapur 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Kjo është një disponueshmëri me kohë të plotë, e cila nuk mund arrihet lehtësisht ndryshe. Por përmes faqes tuaj të internetit ju jeni të arritshëm kudo që është i drejtuar akrepi i orës. Ju jeni hapur gjatë gjithë kohës.
5. I pranishëm 360° në hartën e botës
Ju nuk mund të hapni një dyqan ose zyrë në çdo qytet në planet. Por përmes një faqe interneti ju jeni online në çdo qytet të planetit. Thjesht zgjidhni një destinacion në hartën e botës dhe vendosni gishtin tuaj në të; përmes internetit ju jeni edhe aty. Një faqe interneti është mënyra më e mirë për ekspozim global. Ju jeni praktikisht i pranishëm kudo.
6. Promovimi i produkteve dhe shërbimeve tuaja online
Faqja e internetit e kompanisë është vendi i parë ku duhet të ndodhë promovimi i të mirave tuaja. Një katalog ose vitrinë online do të tregojë atë që ju keni për të ofruar. Çdo vizitor apo blerës duhet të shikojë në faqen tuaj te internetit produktin apo shërbimin, për të cilin është i interesuar që ta blejë.
7. Komoditet për vizitorin
Vizitorët nuk kanë pse të vijnë personalisht në dyqanin, supermarketin, magazinën ose në zyrën tuaj. Ekziston një mënyrë shumë më e përshtatshme. Me një faqe interneti ju mund të shkoni ku ata janë, në ekranet e pajisjeve të tyre elektronike. Ky është komoditet.
8. Kohë e kursyer për klientët
Thjesht hyrja në një faqe interneti prej nga destinacioni ku ndodhet, është kursim kohe në vetvete për vizitorin. Kërkimi dhe navigimi brenda në faqen tuaj të internetit do të kursejë më shumë kohë për vizitorët tuaj, krahasuar me çdo mënyrë tjetër të reklamimit apo prezantimit.
9. Automatizimi
Evolucioni elektronik dhe dixhital pruri tek ne të mirën e automatizimit. Puna e shumë njerëzve mund të bëhet shpejt me anë të makinerive. Një faqe interneti në web përfiton nga kjo, duke kursyer kohë dhe para për kompaninë, duke shkurtuar numrin e njerëzve që punojnë dhe duke ulur sasinë e parave që duhen shpenzuar.
10. Është e pritshme që një biznes të ketë një faqe interneti
A mund ta imagjinoni një kompani pa një faqe interneti? Kjo është një kompani që nuk përshtatet në botën e sotme. Çfarë do të mendoni në qoftë se doni të bëni biznes me një kompani të caktuar dhe ata nuk kanë një faqe interneti? A nuk e shuan kjo dëshirën tuaj për të punuar me ta? Ja fjalët e Bill Gates për këtë çështje: “Në qoftë se biznesi juaj nuk është në internet, atëherë biznesi juaj do të jetë jashtë biznesit.” Një web faqe është një kërkesë themelore për çdo kompani. Një faqe interneti nuk është më një luks apo komoditet, ajo është bërë një domosdoshmëri për të patur sukses.
11. Status
Është çështje prestigji, statusi profesional dhe standardi. Një kompani nuk mund të merret seriozisht nëse ajo nuk ka faqe interneti. Kjo është nën standardin e pritshëm; kjo gjë transmeton një sinjal të papërshtatshëm dhe mbart një status negativ. Vizitorët online do ta trajtojnë një kompani në të njëjtën mënyrë që ajo trajton faqen e saj të internetit. Nëse kompania respekton faqen e internetit, kjo reflekton dinjitet për veten dhe kujdes ndaj klientit dhe njerëzit do të respektojnë këtë kompani. Faqja e internetit është fytyra publike e një biznesi. Njerëzit nderojnë dhe respektojnë statusin. Çfarë statusi përfaqësoni ju?
12. Vishuni për të patur sukses online
Ju e keni dëgjuar shprehjen “vishu për të patur sukses!”. Por më e rëndësishme është të visheni për të patur sukses ONLINE! Ju mund të vishni pantallona të shkurtra dhe pantofla, i ulur në komoditetin e divanit tuaj në shtëpi, dhe në të njëjtën kohë, me një faqe interneti profesionale, ju mund të krijoni një përshtypje të shkëlqyer dhe të lidheni me klientët tuaj potencialë në web. Faqja juaj e internetit është kostumi që ju vishni online. Njerëzit gjithmonë kanë gjykuar nga pamja, por tani ata gjykojnë nga pamja online. Nuk është e drejtë, por është fakt. Ju duhet ta luani lojën sipas rregullave të reja.
13. Identiteti i përhershëm online
Shumë korporata dhe biznese njihen dhe identifikohen thjesht nga emërtimi i domain-it. Ata e kanë konsideruar me kujdes përzgjedhjen e emërtimit të domain-it të tyre, që në fillim, dhe tani ai është bërë identiteti i tyre unik në web. Vizitorët nëse duan të vizitojnë një faqe interneti, mjafton të mbajnë mend emrin e kompanisë dhe ta vendosin në kutinë e URL-së në shfletues (browser) me prapashtesën .com (ose prapashtesën shtetit përkatës) dhe është e pritshme nga të gjithë që web faqja e duhur të shfaqet. Njëhsimi i emrit të kompanisë me një domain si pikë aksesi për në faqe interneti, është domosdoshmëri për një paraqitje serioze. Shumë e kanë zili këtë pushtet të branding-ut në web. Mendoni në mënyrë të zgjuar dhe punoni drejt këtij synimi për kompaninë tuaj, duke përdorur të njëjtën mendësi.
14. Një faqe interneti është bërë norma e prezantimit
Nëse një biznes i ka të gjitha format e tjera të reklamave dhe të marrëdhënieve publike, por i mungon faqja e internetit, kjo është një minus i madh. Është shumë më mirë që të ketë një faqe interneti dhe të mos ketë të gjitha format e tjera të publicitetit. Kjo është një normë e pritshme. Prandaj ju duhet të keni një faqe interneti! Klientët tuaj potencialë do të shikojnë për website-n tuaj.
15. Një agjent online
Kur ju fikni kompjuterin tuaj, faqja juaj e internetit është ende “e ndezuar” online. Ajo punon dhe flet për ju, kur ju flini. Është agjentja dhe prezantuesja juaj, që asnjëherë nuk ndalon së bëri punën e saj, duke komunikuar dhe duke krijuar lidhje të reja.
16. Reklamimi
Reklama është shpirti i tregtisë, por pjesa e saj më e madhe po ndodh në internet. Në mes të formave të ndryshme të pranisë dhe komunikimit online, përqendrimi i reklamimit do të jetë gjithmonë website zyrtar i kompanisë. I gjithë aktiviteti do të drejtohet në faqen e internetit. Web faqja supozohet të jetë qendra e gjithë aktivitetit tuaj në internet.
17. Pika e referimit të informacionit
“Për më shumë, shikoni faqen tonë të internetit”, ose “Siç reklamohet në faqen tonë”, apo “Gjejeni në web faqen tonë!” Ju i keni dëgjuar apo lexuar këto shprehje më shumë se një herë. Përse? Sepse informacioni i shfaqur në një faqe interneti zyrtare është bërë si Bibla për një kompani apo organizatë, ose si indeksi dhe tabela e përmbajtjes për një libër. Është shndërruar në burimin kryesor të informacionit ose në pikën e referimit për t’u orientuar. Kjo vlen për vizitorët e rastësishëm, klientët, madje dhe vetë punonjësit e kompanisë. Asnjë mjet apo instrument tjetër (libër, CD, media sociale, etj) nuk mund të japë gjithë përmbajtjen të kategorizuar, të kërkueshme lehtësisht dhe me thjeshtësinë e aksesit siç e bën një faqe interneti
18. Përfitimet e një website në dallim nga mediat e tjera
Duke folur për përfitimet që sjell një faqe interneti, në krahasim me mënyrat e tjera të publicitetit, të marrëdhënieve me publikun dhe të reklamave, një faqe interneti ka vërtet përparësi. Një spot komercial televiziv ose në radio zgjat disa sekonda dhe mbaron, një reklamë e shtypur në gazetë apo revistë vdes me revistën dhe gazetën, një fletushkë reklame apo një broshurë, e përfundon ciklin e vet me numrin e njerëzve që e marrin atë dhe e burgosin në raftet e tyre, apo më keq, në koshin e plehrave. Por një faqe interneti është atje, në web; dhe do të jetë online për aq kohë sa të doni. Ajo mund të jetë e pranishme në të gjitha skajet e planetit në të njëjtën kohë dhe është gati të hapet nga miliona njerëz në çdo moment. Për një faqe interneti ia vlen barra qeranë të investosh.
19. Kostoja e ulët e një website në kontrast me format e tjera të reklamimit
Dallimi i kostos të krijimit të një faqe interneti në ndryshim me reklamat tradicionale, është drastik. Çmimi i një faqe interneti është pothuajse gjithmonë më lirë se sa ai një dyqani fizik, i një zyre, i publikimeve të printuara, i një stende afishimi në rrugët e qytetit, i marrjes me qera të një ambienti në një panair, apo i një serie reklamash të prodhuara dhe të shfaqura në televizion. Duke marrë parasysh vetëm këtë arsye, nuk ka justifikim për asnjë biznes, që të mos ketë të paktën një faqe interneti të thjeshtë përfaqësuese. Është mënyra më e mirë dhe më e lirë e reklamimit.
20. Një faqe interneti ia vlen për sasinë e parave që paguhet për të
Mungesa e një faqe interneti kushton më shumë se sa pagesa për të krijuar një të tillë. Dhe, duke paguar për të ndërtuar një faqe interneti, do të përfitoni më shumë se sa kursimi po të mos e ndërtonit.
21. Rritja e interesit për Brand-in tuaj
Marka (brand-i) juaj do të marrë më shumë vëmendje nëpërmjet faqes tuaj të internetit dhe do të bëhet e njohur për shumë njerëz. “Faqet e internetit ju promovojnë njëzetë e katër orë në ditë, gjatë shtatë ditëve të javës; Asnjë punonjës nuk mund ta bëjë këtë” (Paul Cookson). “Për sa kohë nuk e bëni veten tuaj të dukshëm dhe të besueshëm, ju nuk keni arritur asgjë”. (Leo Burnett)
22. Shitje, shitje, shitje!
Pika kryesore është që ju keni nevojë për blerës. Për këtë ekziston biznesi; për shitje. Disa biznese i sqarojnë marrëveshjet e tyre ose i kryejnë shitjet direkt online, ndërsa disa biznese të tjera në një platformë të ndryshme. Por të dy llojet e biznesit kanë të domosdoshme një faqe interneti për të tërhequr, informuar dhe bindur klientët potencialë. Kjo është diçka që nuk mund të bëhet në një mënyrë të tillë të shkurtër dhe kaq lehtësisht pa një faqe interneti. Një website ecommerce, ose një dyqan online, është shitësi më i mirë i një kompanie, i cili punon jashtë orarit, përtej ditëve të zakonshme të punës dhe përtej orarit zyrtar të biznesit.
23. Rezultate të matshme
Në një faqe interneti çdo gjë është e matshme. Nëpërmjet analizave të avancuara dixhitale, ju mund të dini në detaje se sa shumë vizita keni në faqen tuaj, cilat faqe janë klikuar më shumë, sa kohë shpenzojnë vizitorët në një faqe të veçantë, sa ri-vizita keni, sa prej tyre janë vizitorë unikë, nga ku po ju vizitojnë gjeografikisht, etj.
Ky nivel saktësie në matjen e rezultateve është i ndryshëm dhe shumë më i avancuar nga çdo formë tjetër e reklamave tradicionale, marrëdhënieve me publikun dhe shitjeve.
24. Përgjigjet e klientëve
Një nga burimet kryesore të informacionit për përmirësimin e shërbimeve dhe produkteve të një kompanie janë opinionet e konsumatorëve. Një sugjerim, një ankesë, një vlerësim, një pëlqim apo mospëlqim, mund të bëjnë një ndryshim të madh. Mbledhja e reagimeve nga faqja e internetit të kompanisë, nëpërmjet komenteve, anketimeve, sondazheve, votimeve, formave online dhe formave të kontaktit, do ta bëjnë të lehtë për biznesin që të dijë se çfarë pëlqejnë dhe nuk pëlqejnë konsumatorët.
25. Edukimi i klientëve
Një nga tendencat e këtij brezi është avancimi përtej informimit të masave drejt edukimit të konsumatorëve. Një faqe interneti është mediumi i përkryer për të edukuar klientin për përmbajtjen e një produkti apo shërbimi, për të mirat që mund të përfitohen prej tij dhe se si ky produkt apo shërbim dallon nga të tjerët në treg.
26. Partneriteti
Nëpërmjet prezantimit, informimit dhe komunikimit, lind dhe zhvillohet partneriteti. Një faqe interneti e bën këtë shumë mirë dhe me lehtësi. Bëhuni gati të krijoni lidhje të reja ortakërie përmes web faqes tuaj.
27. Rekrutimi i lehtë i punëtorëve të rinj
Shpalljet e pozicioneve të lira të punës mund të vihen në shumë vende në internet, por ato duhet të sjellin trafikun në “qendër”; në seksionin shpalljeve në faqen zyrtare të internetit. Përshkrimi i vendit të punës, kërkesat dhe komunikimi duhet të jenë të mundësuara nëpërmjet faqen së internetit të kompanisë. Të gjitha në të njëjtin vend; të sakta, funksionale dhe të përdorshme lehtë.
28. Monetizimi i faqes së internetit me reklama
Përveç shitjeve online të bëra nëpërmjet web faqes tuaj, ju mund të përdorni hapësirën tuaj për reklamim, për të fituar disa para shtesë. Shumë opsione si për shembull Google AdSense, janë mjete të mira që mund të implementohen lehtë në faqen e internetit dhe të bëjnë një punë të automatizuar nga fillimi deri në fund.
29. Ju mund ta shisni faqen tuaj të internetit
Nëse faqja juaj ka shumë trafik dhe vlera e saj rritet, bizneset e tjera mund të tregojnë interes për blerjen e saj. Një miku im zhvillon një biznes të ri në internet dhe çdo katër vjet e shet atë. Kjo mund të jetë një ide qe mund të vlejë dhe për ju. Pse të mos e konsideroni, në qoftë se kjo sjell ndonjë marrëveshje fitimprurëse?
30. Domain juaj mund të shitet
Një domain është një pasuri e patundshme dixhitale moderne. Ndërsa koha kalon, çmimi i një domaini interesant mund të rritet dhe kjo mund të sjellë kërkesë për t’u rishitur. Çmime të mëdha mund të trokasin në derën tuaj. Për shembull, emri i domainit insurance.com u shit për 35.6 milionë dollarë në vitin 2010, emri i domainit vacationrentals.com u shit për 35 milionë dollarë në 2007, domaini privatejet.com u shit për 30.1 milionë dollarë në 2012. Si do të ndiheni, nëse keni blerë një domain për 12 dollarë dhe shisni atë për më shumë se 1 milion dollarë?
31. Adresa zyrtare e-mail të personalizuara
Më dhanë një herë një propozim të mirë biznesi përmes një rrjeti profesionistësh. Dukej me vlerë për t’u konsideruar. Në fund të kopjes së tekstit, në detajet e kontaktit, u ndesha me adresën e e-mail-it të propozuesit. Kjo nuk ishte një adresë emaili profesionale e biznesit. Vetëm ky fakt ishte i mjaftueshëm për mua për ta flakur propozimin tutje. Çdo herë që shihni një adresë emaili me prapashtesën @yahoo.com, @gmail.com ose @hotmail.com, kjo është një tregues i qartë që ju nuk keni përballë një përfaqësues të një kompanie. Kur ju keni domainin e faqes së internetit të biznesit tuaj, ju mund të hapni adresat e-mail me prapashtesën e domainit, si për shembull emër.mbiemër@kompaniajuaj.com. Kështu duhet të duket një adresë emaili profesionale.
32. Social media është e përkohshme, website është përgjithmonë
Së pari, media sociale është një lojë me rregulla të bëra nga të tjerët dhe ata mund t’i ndryshojnë ato kur t’ju pëlqejë. Në web faqen tuaj jeni ju ai që i krijoni rregullat e lojës. Ja një shembull: Unë hapa një grup në Facebook dhe ai u rrit shpejt deri në 1050 anëtarë. Ishim aktivë dhe zhvilluam një arkiv të organizuar me temat me interes të përbashkët për ne. Shumë prej nesh kalonin çdo ditë kohë në grup dhe pati shumë veprimtari. Derisa një ditë Facebook-u ndryshoi rregullat për qeverisjen e grupeve. Të gjitha arkivat u fshinë dhe të gjithë anëtarët e grupit u çregjistruan automatikisht. E gjithë përpjekja, puna dhe lidhjet shkuan kot dhe i mori era. Sepse ne e zhvilluam aktivitetin ne nje ambient ku çelësat i kishte dikush tjetër dhe ai vendoste rregullat e lojës.
Së dyti, adresat e linqeve URL (për shembull http://www.shembull.com/nje-nen-faqe.html) në rrjetet sociale nuk janë të përhershme. Ato mund të ndryshojnë. Kjo është diçka në të cilën ju nuk mund të mbështeteni. Si mund të publikoni një link të një faqeje, kur linku i saj mund të ndryshojë nesër?
Së treti, sistemimi, kategorizimi dhe emërtimi i përmbajtjes nuk është i mundur në median sociale ashtu si në një faqe interneti.
Së katërti, është çështje autoriteti. Në mediat sociale ka shumë zhurmë, por nuk ka aq shumë respekt për atë që është thënë. Konsiderohet kryesisht si thashetheme zbavitëse, dhe jo si lajm i vërtetë. Kjo është arsyeja pse ajo që publikohet në një faqe interneti mbart shumë më shumë autoritet.
Pra, a është media sociale vendi i gabuar dhe website vendi i duhur? Nuk mund ta themi në këtë mënyrë! Por, social media duhet të shihet si një zgjatim i faqes së internetit. Media sociale ka vlerë të përkohshme, por vlera e një web faqeje zgjat. Përdorini mediat sociale, por investoni në faqen e internetit.
33. Palët e treta nuk mund të zëvendësojnë një faqe interneti
Listimet e bizneseve dhe direktoritë lokale, si për shembull faqet e verdha, ishin shumë të rëndësishme para masivizimit të internetit, por ato nuk mund të zënë sot vendin e faqes e internetit. Faqet e biznesit në rrjetet sociale gjithashtu, nuk janë një vend serioz për t’u përdorur si prezantimi kryesor i kompanisë tuaj. Çdo vend online ku përmendet kompania juaj ose produktet dhe shërbimet tuaja, duhet të piketojë drejt website-t tuaj. Shprehja “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” është e aplikueshme në këtë rast, sepse çdo pjesë informacioni e shpërndarë online dhe offline duhet t’i drejtojë të interesuarit drejt faqes tuaj zyrtare të internetit.
34. Ju tashmë e dini që duhet të keni një faqe interneti
Përfundimi.
Ende po kërkoni të dilni në një përfundim? Ndërtoni një faqe interneti! Një të mirë! Tani!
Kontaktoni inWEB.AL Web Design Studio që t’ju ndihmojë të ndërtoni një faqe interneti mbresëlënëse.